Ronaldo e dominon votimin ndaj Messit për sezonin më të mirë në historinë e “Topit të Artë”
Cristiano Ronaldo është duke kryesuar bindshëm ndaj Lionel Messit në votimin për të përcaktuar sezonin më të mirë të një fituesi të “Topit të Artë” në histori.
Sipas të dhënave të publikuara nga Goal, sezoni i vitit 2008 i portugezit ka marrë 62 për qind të votave, ndërsa sezoni i vitit 2012 i argjentinasit ka marrë 13 për qind.
Votimi është hapur në fillim të tetorit dhe do të vazhdojë deri më 27 tetor, në mesnatë sipas orës së Parisit. Në garë janë dhjetë legjenda të futbollit që e kanë fituar të paktën dy herë këtë çmim.
Ronaldo në krye, Messi pas tij
Sipas rezultateve të publikuara deri tani, renditja mes dy yjeve është si vijon:
Cristiano Ronaldo (2008) – 62%
Lionel Messi (2012) – 13%
Lionel Messi (2023) – 9%
Cristiano Ronaldo (2007) – 7%
Cristiano Ronaldo (2016) – 2%
Votat për sezonet e tjera të dy futbollistëve nuk e kalojnë 1 për qind.
Ronaldo e fitoi “Topin e Artë” në vitin 2008, kur luante për Manchester Unitedin. Ai realizoi 42 gola në të gjitha garat gjatë sezonit 2007/08, duke ndihmuar skuadrën angleze të fitonte Premier Leaguen dhe Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, Messi e fitoi çmimin në vitin 2012 pas një sezoni historik, ndërsa trofeu i vitit 2023 erdhi pas triumfit me Argjentinën në Kupën e Botës në Katar.
Votimi me pagesë
Një veçanti e këtij votimi është se çdo votë kushton një euro. Për më tepër, tifozët mund të votojnë disa herë, edhe për të njëjtin futbollist.
Pjesëmarrësit kanë mundësi të hyjnë në një short për dy bileta për ceremoninë e këtij viti dhe një fotografi të veçantë me trofeun.
Për rrjedhojë, rezultatet pasqyrojnë votat e tifozëve në këtë nismë dhe jo një vlerësim përfundimtar nga juria e “Topit të Artë” për sezonin më të mirë në histori. /Zëri