Trajneri i Shkëndijës: Fitorja ndaj Skopjes, dedikim për Drilon Islamin

Tri pikët e djeshme të Shkëndijës shkojnë si dedikim për mesfushorin Drilon Islami, i cili javën e kaluar u dëmtua dhe për një periudhë të caktuar do të mungojë nga terrenet e gjelbra.

Skuadra tetovare ka shënuar një fitore të rëndësishme 3:1 ndaj Skopjes në xhiron e 10-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Kuqezinjtë krijuan epërsi të dyfishtë që në 10 minutat e para përmes Krasniqit dhe Dimoskit, ndërsa vendasit zbutën rezultatin me Angelovin, për ta vulosur fitoren dhe rezultatin përfundimtar 3:1 me golin e Tambës.

Fitorja…

Artim Pollozhani: Do ta filloj intervistën me një dedikim. Fitorja i takon plotësisht Drilon Islamit, i cili pësoi një lëndim dhe do të na mungojë gjatë, kështu që e sot fitorja i përket atij, sepse patjetër që është një forcë që na shërben. Por që kështu e ka futbolli dhe duhet të vazhdojmë para. Tani, për sa i përket ndeshjes, unë mendoj që kishim një start jashtëzakonisht të mirë, duke shënuar dy gola, pastaj kishim kontrollin e lojës. Ajo që duhet të kemi kujdes është tek këto gabimet që bëjmë, që praktikisht ne e falim atë këndore, edhe nga ndërprerja erdh goli i kundërshtarit Mendoj që është fitore karakteri, sepse pavarësisht pozicionit në tabelë, Skopje është ekip që brenda fushës së vet luan mirë. Patjetër që kanë pasur edhe në ndeshjet tona direkte, por edhe ndeshjet para nesh që kanë luajtur, kanë krijuar rivalëve vështirësi. Kështu duhet vlerësuar pasi është një fitore karakteri, është një fitore që patjetër që u takon merita djemve. Është një fitore që futemi në derbi me një anë psikologjike, mendoj pozitive.

Qasja para ndeshjes me Vardarin

Artim Pollozhani: Nuk duhet të ketë asnjë farë lloj euforie, sepse ne e kemi thënë edhe më parë se kampionati është maratonë. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e rëndësishme, një ndeshje që patjetër se do futemi për ta fituar. Duke iu referuar kësaj, unë mendoj se ana psikologjike është e rëndësishme, sepse me një teren të vështirë siç është këtu te Skopjes, patjetër që është patjetër pozitive edhe e përsëris edhe një herë është meritë e djemve.

Atmosfera para sfidave të radhës

Artim Pollozhani: Nuk duhet të kemi eufori, sepse patjetër që në momentin kur fillon edhe koka është e nxehtë, atëherë është problematike. Ne jemi në pozicion pozitiv dhe unë mendoj që me një interpretim që nuk do ta diskutoj që do jetë akoma më i lartë si ritëm, si interpretim ndeshja derbi me Vardarin. Ajo që dua të porosis është që spektatorët të vijnë të na mbështesin, patjetër që nuk diskutohet që do të vijnë, sepse tifozët tanë e kanë dëshmuar gjatë gjithë kësaj kohe. Gjatë gjithë kësaj periudhe na mbështesin dhe janë lojtari i dymbëdhjetë i joni. Mendoj që duhet të jemi me këmbë në tokë, kampionati është i gjatë edhe pavarësisht vështirësive, unë mendoj se duhet të sakrifikojmë për njëri-tjetrin, me patjetër sepse me këtë lloj sakrifice mund të ecim para. /Zëri