Dëmtim i rëndë për Dibu Martínezin, portieri operohet: “Për disa javë kthehem”

Portieri argjentinas Emiliano “Dibu” Martínez ka pësuar frakturë në nofull pas një përplasjeje të fortë me mbrojtësin e Evertonit, Jarrad Branthwaite, në ndeshjen e fituar 2-0 nga Chelsea në Premier League.

Gardiani 34-vjeçar u detyrua ta lërë fushën me barelë, ndërsa u dërgua në spital për ekzaminime. Trajneri Xabi Alonso konfirmoi se portieri kishte pësuar edhe tronditje cerebrale.

Martínez iu nënshtrua një operacioni, i cili përfundoi me sukses. Pas ndërhyrjes, ai iu drejtua tifozëve përmes rrjeteve sociale, duke i qetësuar për gjendjen e tij.

“Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Operacioni shkoi mirë. Gjëja më e rëndësishme është se fituam dhe e mbajtëm portën e paprekur. Pas disa javësh do të kthehem”, shkroi portieri argjentinas.

Penders pritet ta zëvendësojë

Dëmtimi i Martínezit i hap rrugën portierit të ri belg Mike Penders, i cili debutoi në Premier League duke e zëvendësuar argjentinasin në ndeshjen ndaj Evertonit.

Penders pritet të ketë përgjegjësi të rëndësishme në ndeshjet e ardhshme të Chelsea-t, përfshirë përballjet me Tottenhamin dhe Manchester Unitedin, si dhe duelin e Kupës së Ligës kundër Liverpoolit.

Xabi Alonso shprehu besimin e tij te portieri belg, duke theksuar se ai ka personalitet dhe guxim, ndërsa klubi do ta ndjekë nga afër rikuperimin e Martínezit.

Megjithëse portieri është optimist për rikthimin, koha e saktë e mungesës së tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Chelsea. /Zëri