Vrasjet e shpeshta, alarm për institucionet

Vrasjet e shpeshta në Kosovë duhet të shërbejnë si alarm për institucionet dhe të shtyjnë në forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e tyre, vlerëson eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në shtator të vitit 2026 janë evidentuar 17 raste vrasjesh, aq sa ishin regjistruar gjatë gjithë vitit 2025. Ndërkaq, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Policia ka konfiskuar 1 mijë e 265 armë të llojeve të ndryshme dhe 17 mijë e 932 fishekë.

Shala tha se Policia e Kosovës nuk mund të jetë e pranishme në çdo vend dhe në çdo kohë, prandaj, sipas tij, është e rëndësishme që problemet brenda familjeve të mos fshihen, por të raportohen te institucionet përkatëse për të parandaluar rastet më të rënda.

“Po mendoj që tani, në aspektin e sigurisë publike, vrasjet e shpeshta që janë duke u ndodhur në Kosovë do të duhet të jenë shqetësuese, do të duhet të jenë alarmuese për një institucionet. Është fakt që Policia e Kosovës nuk mund të qëndrojë në çdo hapësirë, për çdo njeri, për faktin që ka shumë probleme brenda familjes dhe ato probleme më pas izolohen dhe konservohen brenda familjeve. Atëherë, është gjithmonë e pritur, që ato të dalin jashtë kontrollit, duke u shkaktuar edhe me humbje të jetërave. Prandaj, mbi këtë bazë, do duhej që qytetarët, familjet të cilët kanë probleme të ndryshme t’i komunikojnë me institucionet dhe më pastaj mund të bëhet preventiva e rasteve më ekstreme, ç’është vrasja apo tentimvrasja”, tha ai.

Shala theksoi se parandalimi i këtyre rasteve kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, përfshirë Policinë, Prokurorinë dhe sistemin gjyqësor, me fokus në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Prandaj, mbi këtë bazë, do duhej që edhe mekanizmat preventivë, pra komunikimi në mes institucioneve përkatëse, po ashtu edhe nga Prokuroria e Kosovës, po ashtu edhe nga sistemi gjyqësor, të kenë parasysh këtë segment, për të rikthyer një strategji e cila ka në themel jetën e qytetarit të Republikës së Kosovës. Dhe mbi këtë bazë, duke ruajtur jetën e qytetarit, ne mund të bëjmë parandalime në masën më të madhe të këtyre rasteve, të cilat janë shqetësuese për sigurinë publike në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Duke folur për shkaqet që mund të çojnë në raste të tilla, eksperti i sigurisë përmendi problemet familjare, ekonomike dhe sociale. Ai vlerësoi se familjet duhet të kërkojnë ndihmë profesionale dhe të mos i mbajnë të fshehura problemet që mund të përshkallëzohen.

“Shkaqe më të mëdha, janë shkaqet familjare, janë shkaqet ekonomike dhe shkaqet sociale, por pjesa më e madhe, pra, kemi të bëjmë me këtë, jo me elementet e sistemit shtetëror, por kemi të bëjmë me çështjen e përcaktimit të së drejtës. Pra, gjithmonë e drejta, e cila është subjektive në pjesën më të madhe, përcakton se si e drejtë për të marrë një veprim, i cili është në kundërshtim me normativën përkatëse. Prandaj, këtu do duhej që të jetë familja më e hapur në komunikim, të kemi dhe konsultime me psikologë të caktuar, me sociologë, të cilët do duhej që në vazhdim, në një masë preventive strategjike, t’i jepen argumentet e tyre parandaluese ndaj kërcënimeve, të cilat do të jenë në rritje e sipër”, tha ai.

Një tjetër shqetësim, sipas tij, mbetet qarkullimi i armëve ilegale. Shala vlerësoi se fushatat e deritanishme për dorëzimin e armëve nuk kanë dhënë efektet e pritshme në terren.

“Çështja e armëve ilegale tanimë është e përcaktus e qartë se kapmanjat qe janë zhvilluar në pjesën më të madhe të kohës, sikur kemi lënë pas, nuk kanë dhënë efektet e tyre në terren për t’i nxitur qytetarët që ata më pas t’i dorëzojnë armët në forma të ndryshme dhe shteti t’i kontrollojë ato”, tha ai.

Ai kërkoi që institucionet të shqyrtojnë mënyra më efektive për të nxitur qytetarët që t’i dorëzojnë armët e paligjshme, duke theksuar se, krahas kontrollit të armëve, duhet të adresohen edhe shkaqet e problemeve brenda familjeve dhe shoqërisë.

“Çështja e armëve ilegale do duhej që mekanizmat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë më fleksibile sa i përket normativës dhe nxitjes së këtyre kampanjave, që t’i nxisin qytetarët që t’i dorëzojnë armët. Por pjesa më kryesore mbetet ajo që armët janë vetëm mjeti,qe kryhet veprimi, sepse ne duhet ti shkojmë te problematika në thelb, e cila problematikë qëndron pikërisht te çështja e koncentrimeve të ndryshme brenda sistemeve shoqërore dhe sociale të familjeve tona, të cilat do duhet të jenë tanimë të vëmendshëm dhe vigjilentë, problematikat të cilat i kanë mos t’i fshehin, t’i konservojnë, sepse më pastaj raste të tilla do të shpërfaqen”, tha ai./EO