Rama: Nuk jap dorëheqje, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje përballë protestave të udhëhequra nga studentët, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa ka theksuar se qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes trazirave, raporton Reuters.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo revolucion”, ka deklaruar Rama në përgjigjet me shkrim për Reuters, transemton Zeri.info.

Ai tha se përgjegjësia e tij është të dëgjojë qytetarët, të trajtojë shqetësimet legjitime dhe ta çojë Shqipërinë përpara, duke theksuar se synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioritet i Qeverisë.

Protestat janë nxitur nga pakënaqësitë për rritjen e kostove të arsimit të lartë, kushtet në universitete, mungesën e mbështetjes financiare për studentët, korrupsionin dhe perspektivat e punësimit pas diplomimit. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Gjatë protestave në Tiranë demonstruesit kanë dëmtuar ndërtesa publike dhe prona private, ndërsa policia ka përdorur ujë me presion për shpërndarjen e turmave. Për shkak të situatës, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është anuluar.

Rama është shprehur i gatshëm të diskutojë për rritjen e kostove të arsimit, por ka dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës publike.

“Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë me kërkesat legjitime të studentëve”, ka thënë ai.

Kryeministri shqiptar ka deklaruar gjithashtu se nuk do të lejojë që dhuna të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Shqipëria synon të përfundojë negociatat për anëtarësim në BE sa më shpejt që të jetë e mundur, me objektiv vitin 2028. /Zëri