OVL UÇK-ja dënon keqpërdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar përdorimin e flamurit me simbolin e UÇK-së, siç kanë thënë, në akte vandalizmi, duke theksuar se ky simbol nuk duhet të lidhet me dhunën, shkatërrimin ose plaçkitjet, duke iu referuar protestave në Tiranë.
Në reagimin e saj, OVL UÇK-ja ka theksuar se flamuri përfaqëson luftën çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar përmes sakrificës.
Sipas organizatës, e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si arsyetim për dëmtimin e pronës publike ose private, e aq më pak për ta lidhur këtë me simbolin e UÇK-së.
“Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet”, thuhet në reagim.
OVL UÇK-ja u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave që të tregojnë përgjegjësi dhe të ruajnë dinjitetin e simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Zëri