Frikë nga sulmet e Houthi, shtyhen tri ndeshje në Arabinë Saudite, pushon edhe Ronaldo

Liga Profesionale e Arabisë Saudite ka shtyrë tri ndeshje të javës së nëntë, përfshirë edhe duelin e Al Nassr-it të Cristiano Ronaldos, pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend.

Futbolli saudit është prekur nga tensionet e fundit në rajon, me tri përballje të kampionatit që janë zhvendosur në kalendar.

Sipas njoftimit të ligës, vendimi është marrë për arsye organizative dhe logjistike, duke marrë parasysh edhe periudhën minimale të pushimit që duhet të kenë skuadrat ndërmjet ndeshjeve.

Ndeshja mes Al Ahli-t dhe Al Nassr-it, e planifikuar fillimisht për 15 tetor, është shtyrë për 6 mars 2027. Kështu, Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij do të duhet të presin për ta zhvilluar këtë përballje.

Ndërkohë, dy ndeshjet e tjera, Al Riyadh – Al Hilal dhe Al Ittihad – Al Shabab, të planifikuara për 16 tetor, janë shtyrë për 19 dhjetor.

Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar për Arabinë Saudite, pas sulmeve të fundit të rebelëve Houthi nga Jemeni dhe përshkallëzimit të konfliktit në rajon.

Shqetësimet për sigurinë janë shtuar edhe pas incidentit të së hënës, kur ndeshja e Al Nassr-it në Ligën e Kampionëve të Azisë ndaj Neftchi Fergana u vonua për një orë, pas raportimeve për interceptimin e një rakete të drejtuar drejt Riadit.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, liga saudite ka bërë të ditur se ndeshjet e tjera të javës do të zhvillohen sipas kalendarit të paraparë.

Për momentin, shtyrjet prekin tri përballje, ndërsa situata e sigurisë në vend mbetet një faktor i rëndësishëm për organizimin e aktiviteteve sportive. /Zëri