Rafael Leao: Shpresoj që Lamine Yamal ta fitojë Topin e Artë

Rafael Leao ishte një nga shqetësimet kryesore të Barcelonës gjatë vizitës së saj në Stamboll.

Sulmuesi portugez i Galatasarayt asistoi në golin e parë të ndeshjes, përpara se furia sulmuese e katalunasve, e udhëhequr nga talenti i Lamine Yamalit, ta shndërronte përballjen e Ligës së Kampionëve në një fitore bindëse me rezultat 4-1.

Pas ndeshjes, reprezentuesi portugez shprehu hapur mendimin e tij për Lamine Yamalin.

“Shpresoj që ai ta fitojë Topin e Artë”, deklaroi Leao.

I pyetur nëse numri 10 i Barcelonës është tashmë lojtari më i mirë në botë, 27-vjeçari, i cili ishte lidhur me një transferim te Barcelona gjatë kohës kur luante për Milanin, shprehu admirimin e tij për talentin e dalë nga akademia “La Masia”.

“Natyrisht, duke qenë se jam mik i tij, shpresoj që ta fitojë Topin e Artë dhe ta ndihmojë Barcelonën të arrijë gjëra të mëdha”, u shpreh ai.

Sipas Leaos, Lamine “tashmë është ndër lojtarët më të mirë në botë, duke marrë parasysh atë që po arrin dhe moshën që ka”.

“Është një lojtar që e admiroj jashtëzakonisht shumë dhe mendoj gjithashtu se është një person shumë modest. Ai është i rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm dhe luan për një klub të jashtëzakonshëm, të cilin edhe unë e vlerësoj shumë”, përfundoi ai.