Gjenden mbetje eshtërore në Mitrovicë, dyshohet se i përkasin një viktime të luftës
Mbetje eshtërore të një personi janë gjetur në varrezat e fshatit Shipol të Mitrovicës, në kuadër të hetimeve për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999, shkruan Zeri.info.
Sipas njoftimit të Policisë, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka realizuar ekzekutimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim.
“Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në IML”, thuhet në raportin e Policisë.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Person i zhdukur
Zhabar, Mitrovicë 1998/1999. Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, më datën 13.10.2026 kanë realizuar ekzekutimin e Urdhëresës të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special për Zhvarrosje, Autopsi dhe Identifikim në varrezat e fshatit Shipol të Komunës së Mitrovicës, ku kanë hasur në mbetje eshtërore të njeriut që dyshohen që i përkasin viktimës mashkull kosovar. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në IML. /Zëri