Kompany kërkon përforcime në sulm, Bayerni synon ta transferojë Olmon
Bayern Munich mund të rikthehet në garën për shërbimet e Dani Olmos.
Drejtuesit e klubit bavarez po shqyrtojnë mundësitë për të përforcuar repartin ofensiv, ndërsa futbollisti i Barcelonës është një nga emrat që lidhen me interesimin e tyre.
Sipas raportimeve të mediave, Max Eberl, drejtuesi sportiv i Bayernit, është një admirues i madh i 28-vjeçarit.
Ai e njeh mirë Olmon nga koha kur të dy ishin pjesë e RB Leipzigut, përpara se mesfushori të transferohej te Barcelona në vitin 2024.
Trajneri Vincent Kompany kërkon më shumë alternativa në sulm dhe profili i Olmos shihet si interesant për shkak të fleksibilitetit të tij.
Reprezentuesi spanjoll mund të luajë si mesfushor ofensiv, në të dy krahët e sulmit, por edhe në pozicionin e sulmuesit të rremë.
Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. Olmo është pjesë e Barcelonës dhe një marrëveshje do të kërkonte negociata mes dy klubeve, si dhe gatishmërinë e futbollistit për të ndryshuar ambient.
Mbetet të shihet nëse interesimi i Bayernit do të konkretizohet me një ofertë zyrtare në afatin kalimtar të ardhshëm. /Zëri