Basha:Vazhdojmë rehabilitimin e skarpateve përgjatë autostradës `Ibrahim Rugova`
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po vazhdon punën për rehabilitimin e skarpateve përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”, ndërsa për disa segmente po zhvillohet procesi i riprojektimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se po vazhdojnë angazhimet për rehabilitimin e skarpateve përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”, me synimin për të parandaluar rrëshqitjet dhe për të rritur sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Përmes një njoftimi, Basha ka bërë të ditur se një pjesë e skarpateve tashmë është në proces rehabilitimi, ndërsa për segmente të tjera po zhvillohet faza e riprojektimit.
Sipas tij, pas përfundimit të kësaj faze do të vazhdohet me procedurat për kontraktimin e punimeve të sanimit.
Paralelisht, Ministria po kryen analiza dhe vlerësime teknike edhe për segmentet e tjera të autostradës, me qëllim identifikimin e skarpateve që kanë nevojë për ndërhyrje shtesë.
Basha ka theksuar se, pavarësisht problemeve të evidentuara, institucioni që ai drejton po punon për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata.
Ndërhyrjet synojnë parandalimin e rrëshqitjeve të reja dhe garantimin e sigurisë për të gjithë ata që qarkullojnë në autostradën “Ibrahim Rugova”.