Chelsea e blindon Cole Palmerin, e vazhdon kontratën deri në vitin 2034

Cole Palmer nuk është në shitje. Ylli anglez ka nënshkruar kontratë të re me Chelsea , duke e zgjatur qëndrimin e tij në Stamford Bridge deri në vitin 2034.

Chelsea ka siguruar të ardhmen e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Cole Palmer ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e re me klubin londinez, me kushte të përmirësuara financiare dhe afat deri në vitin 2034.

Reprezentuesi anglez, i cili është rikuperuar në Londër për t’u kthyer në formën e tij më të mirë fizike, ka vendosur të vazhdojë aventurën me “Blutë”, pavarësisht spekulimeve të ndryshme rreth të ardhmes së tij.

Palmer kishte tashmë një kontratë afatgjatë deri në vitin 2033, por të dyja palët kanë rënë dakord ta zgjasin edhe për një vit, duke shpërblyer rëndësinë e tij për skuadrën.

Chelsea vazhdon fushatën e rinovimeve

Rinovimi i Palmerit vjen në kuadër të strategjisë së klubit londinez për t’i mbajtur lojtarët kryesorë në skuadër.

Më parë, Chelsea kishte vazhduar bashkëpunimin edhe me kapitenin Reece James, mesfushorin Moises Caicedo, sulmuesin Joao Pedro dhe anësorin Pedro Neto.

Shifrat mbresëlënëse të Palmerit

Palmer iu bashkua Çelsit nga Manchester City në vitin 2023 dhe që atëherë ka regjistruar 138 paraqitje, duke shënuar 58 gola dhe dhënë 34 asistime.

Ai ishte një prej lojtarëve kyç në sukseset e klubit në Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube në vitin 2025.

Edhe këtë sezon, anglezi ka vazhduar të dëshmojë rëndësinë e tij, me katër gola dhe dy asistime në shtatë ndeshjet e para në të gjitha garat.

Me kontratën e re, Çelsi dërgon një mesazh të qartë: Cole Palmer mbetet pjesë qendrore e projektit të klubit për vitet e ardhshme. /Zëri