Tërmet me magnitudë 7.7 godet Panamanë, shemben pjesë të objekteve [video]
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ka goditur të premten Panamanë, duke shkaktuar dëme në ndërtesa dhe evakuime të banorëve. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë shembjen e një katedraleje dhe rënien e një pjese të fasadës së një hoteli mbi një veturë në Penonomé, në pjesën qendrore të vendit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ishte pranë skajit jugor të Panamasë, rreth 12 kilometra në perëndim-jugperëndim të komunitetit të largët Pitaloza Arriba.
Pas lëkundjeve, për zonën lindore të Oqeanit Paqësor u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili më vonë u hoq.
Rene Garcia, drejtues i operacioneve emergjente në Sistemin Kombëtar të Mbrojtjes Civile të Panamasë, i tha agjencisë AFP se deri në momentin e raportimit nuk ishte konfirmuar asnjë viktimë. Ndërkohë, të paktën dy persona raportohet se kanë mbetur të lënduar.
Powerful 7.7 Magnitude Earthquake Strikes Off The Coast Of Panama | 10 News www.youtube.com
Lëkundjet u ndien edhe në kryeqytetin Panama City, ku ndërtesat u tundën dhe banorët dolën me nxitim në rrugë, ndërsa prisnin informacione të mëtejshme nga autoritetet.
Omar Smith, nga Shërbimi Kombëtar i Mbrojtjes Civile, deklaroi për transmetuesin lokal Telemetro Reporta se dëmet kryesore ishin raportuar në provincat qendrore Veraguas, Herrera dhe Los Santos. Sipas tij, deri atëherë nuk kishte raportime për dëme në kryeqytet.
Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa lëkundje pasuese. Mediat lokale raportuan se tërmeti u ndie gjithashtu në disa zona të Kolumbisë fqinje.
Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë. “Ajo që ndodhi nuk duhet të përdoret për të shkaktuar alarm apo çrregullim”, shkroi ai në rrjetin social X.
Panamaja ndodhet përgjatë të ashtuquajturit “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një zonë rreth 40 mijë kilometra e gjatë, e përbërë nga vullkane dhe linja thyerjesh tektonike, ku ndodhin shumica e tërmeteve në botë.