“Njollë për vendin”: Trumpi i inatosur që s’e fitoi Nobelin për Paqe, kritikon Norvegjinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është ankuar sërish për faktin që nuk e fitoi Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar vendimin e këtij viti si “të turpshëm dhe të sikletshëm”.

Çmimi iu nda të premten ish-gjykatëses së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Navi Pillay. Disa orë pas shpalljes së fitueses, Donald Trump deklaroi në një tubim se nuk kishte “dëgjuar kurrë” për këtë “person misterioz”.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për Norvegjinë”, tha ai, duke shtuar: “Ne nuk do ta harrojmë këtë”.

Trump ka folur hapur për dëshirën e tij për ta fituar këtë çmim dhe kishte bërë kritika të ngjashme edhe në vitin 2025, kur çmimi iu nda lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado.

Vitin e kaluar, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, i shpjegoi Trumpit se fituesin e çmimit e përcakton një komitet i pavarur me seli në Norvegji dhe jo qeveria norvegjeze.

Duke iu drejtuar mbështetësve të tij në një tubim në Syracuse, në shtetin e Nju Jorkut, presidenti amerikan përsëriti pretendimet se kishte zgjidhur tetë luftëra dhe se ishte “pranë zgjidhjes ose fitores në dy të tjera”, pa paraqitur prova për këto pretendime.

“Çmimi Nobel për Paqe është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë, të cilët janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit”, tha ai.

Pillay, ish-shefe e të drejtave të njeriut në OKB dhe ish-gjykatëse e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u vlerësua për “përpjekjet e saj për promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare”, të cilat i hapën rrugën krijimit të një “rendi juridik global më gjithëpërfshirës”, njoftoi Komiteti Nobel.

Puna e saj ka qenë “thelbësore për të siguruar që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të ndiqen penalisht”, tha Jørgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit.

Pak më vonë, 85-vjeçarja reagoi ndaj lajmit nga Pallati i Drejtësisë në Nuremberg, duke thënë: “Kjo duhet të jetë shaka”, ndërsa falënderoi të pranishmit që ishin mbledhur për ta duartrokitur.

“Nëse duartrokitni edhe pak më shumë, mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha ajo me shaka.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan shprehu hapur pakënaqësinë për mosfitimin e çmimit, ndërsa Shtëpia e Bardhë akuzoi komitetin se po vendoste “politikën mbi paqen”.

Në janar, Machado ia dhuroi medaljen e saj Trumpit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ky gjest ishte në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e tij ndaj lirisë së vendit të saj.

Trump deklaroi në rrjetet sociale se ky veprim ishte “një gjest i mrekullueshëm i respektit të ndërsjellë”.

Më vonë, Komiteti Nobel sqaroi se çmimi nuk mund t’i transferohet një personi tjetër.

“Pasi shpallet një Çmim Nobel, ai nuk mund të revokohet, të ndahet apo t’u transferohet të tjerëve”, thuhej në një deklaratë të komitetit. “Vendimi është përfundimtar dhe mbetet i tillë përgjithmonë.”

Trumpi njoftoi se SHBA arriti marrëveshje me Rusinë për naftën, Zelensky i revoltuar: Dhuratë për Putinin