Me skuter të vjedhur nuk i ndalet Policisë në Zvicër, kapet pasi rrëzohet 16-vjeçari kosovar
Një 16-vjeçar kosovar nga kantoni i Aargaut në Zvicër është arrestuar pasi tentoi t’i ikte policisë me skuter të vjedhur në autostradën A1, duke kryer disa shkelje të rregullave të trafikut.
Sipas policisë kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi pak para orës 21:30, kur një patrullë vërejti të riun duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të skuterit në autostradën A1L, njofton policia zvicerane.
Pavarësisht sinjaleve të policisë për të ndaluar, 16-vjeçari vazhdoi drejtimin në autostradën A1 në drejtim të Bernës. Gjatë arratisjes, ai parakaloi një autobus turistik nga ana e djathtë, duke përdorur korsinë e emergjencës.
Pak para daljes në Dietikon, ai humbi kontrollin e skuterit dhe u rrëzua. Më pas, tentoi të largohej në këmbë, por u kap nga një zyrtar policor pas disa qindra metrash. Adoleshenti nuk pësoi lëndime.
Gjatë ndjekjes, i riu kishte hedhur një qese, në të cilën policia gjeti rreth 50 gramë hashash. Hetimet e mëtejshme zbuluan se skuteri ishte i vjedhur dhe se 16-vjeçari nuk kishte patentë shoferi.
I riu tani do të përballet me procedura penale për disa vepra të dyshuara, ndërsa rasti i është dorëzuar prokurorisë përgjegjëse për të mitur.