RRGK-ja reagon pas vrasjes së gruas në Gjilan: Kërkon hetim të plotë dhe drejtësi

RRGK-ja reagon pas vrasjes së gruas në Gjilan: Kërkon hetim të plotë dhe drejtësi

Kronika October 09, 2026 - 19:40

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim të thellë për vrasjen e një gruaje në Gjilan, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj. Në të njëjtën ngjarje humbi jetën edhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Përmes një reagimi publik, RrGK e ka cilësuar vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti si akt të rëndë dhune, duke theksuar se asnjë konflikt apo mosmarrëveshje e mëhershme nuk mund të justifikojë marrjen e jetës së një gruaje.

Sipas RrGK-së, kjo ngjarje rikthen vëmendjen te pasojat fatale të dhunës ndaj grave dhe te nevoja urgjente për parandalim dhe reagim efektiv nga institucionet përgjegjëse.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar hetim të plotë të rastit, zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vënien para drejtësisë të personit përgjegjës.

“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, thuhet në reagimin e organizatës, e cila u ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi dhe pa vonesa.

RrGK ka theksuar se parandalimi i vrasjeve të grave kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror, si dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe jetës së tyre.

Në fund, organizata ka rikujtuar se ofron këshillim ligjor falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore.