Rexhaj për procesin në Hagë: Kurti po e merr shembullin e Kroacisë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, i kanë zgjedhur vetë avokatët e tyre dhe janë mbrojtur veç e veç në procesin gjyqësor në Hagë.
Duke folur për mundësinë që ata të mbroheshin bashkërisht, Rexhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti kishte shprehur një ide të tillë, por ka theksuar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se ajo do të ishte zgjidhja e duhur.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës u janë përgjigjur plotësisht kërkesave të Dhomave të Specializuara në Hagë, veçanërisht në aspektin financiar.
Rexhaj ka përmendur edhe rastin e ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina, duke e krahasuar përfshirjen e shtetit kroat në procesin e tij gjyqësor me qasjen që, sipas tij, po ndjek Kurti lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Avokatët të cilët i kanë zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi i kanë zgjedh vetë me dëshirën e tyre dhe janë mbrojtur secili veç e veç – ideja e tyre ka qenë që të mbrohen veç e veç ndërkaq ideja jonë dhe e kryetarit Albin Kurti ka thënë po ndoshta nuk do thotë se ia ka qellu, që ata do të duhej të mbroheshin bashkë se në fund ata u dënuan sipas vijës hierarkike që kanë pas. Republika e Kosovës, institucionet tona i kanë qëndruar karshi kërkesave të atyre në Hagë në plotni, në aspektin financiar gjithsesi. Mirëpo edhe në atë që çlirimtarët i kanë marrë avokatët më të mirë që kanë dashtë tash ka diskutime se a do duhej të kishte avokatë vendor a të huaj. Rasti i Gotovinës kur është involvuar shteti edhe atëherë shteti ka dashtë me u involvu edhe institucionalisht brenda po nuk e kanë lënë e di që Ministria e Drejtësisë sonë pa pas monitorues – pjesëmarrja shtetërore e Kroacisë ka qenë në Apel e po them që Kurti po e merr shembullin e mirë të Kroacisë – janë raste të ndryshme por në kuptimin e përgjithshëm po”, u shpreh Rexhaj. /dukagjini