Ceferin rikandidon për një mandat të fundit në UEFA: “Federatat më kërkuan të ndryshoja mendje”

Aleksander Çeferin ka ndryshuar qëndrim dhe do të rikandidojë për presidencën e UEFA-s.

Presidenti slloven e konfirmoi vendimin në një takim në Berlin me presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s. 

Çeferin kishte njoftuar më herët se nuk do të rikandidohej pas përfundimit të mandatit të tij, por tashmë ka pranuar kërkesën unanime të federatave për të vazhduar në krye të organizatës.

“Dua të falënderoj federatat kombëtare për besimin e tyre. Kemi përballuar sfida të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit dhe i kemi përballuar si një skuadër. Ka ende shumë punë të rëndësishme përpara dhe për këtë arsye e kam pranuar kërkesën e tyre”, deklaroi Çeferin. 

Zgjedhjet do të zhvillohen më 22 prill 2027 në Astana të Kazakistanit, në Kongresin e 51-të të Zakonshëm të UEFA-s.

Ky do të ishte mandati i tij i katërt në krye të futbollit europian. 

Çeferin dhe UEFA po përballen ndërkohë me një përplasje të fortë me FIFA-n dhe presidentin Gianni Infantino.

Federatat europiane kanë deklaruar se kanë humbur besimin te udhëheqja aktuale e FIFA-s dhe kanë kërkuar reforma të thella, por edhe një lidership të ri në organizatën botërore. 

Ky vendim gjithashtu e largon Çeferinin nga skenari i mundshëm për të qenë kandidat kundër Infantinos në zgjedhjet e FIFA-s. /Zëri