Asencio: Nuk e kam vrarë askënd, kam gabuar, kam kërkuar falje dhe do të vazhdoj ta bëj

Mbrojtësi i Real Madridit, Raúl Asencio, ka folur hapur për periudhën e vështirë që po kalon, duke prekur dy çështje të diskutueshme që kanë shoqëruar karrierën e tij të re.

Aktualisht, 23-vjeçari është jashtë fushave pas operacionit për një frakturë stresi. 

Duke folur për incidentin e gushtit, kur u ndëshkua për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, Asencio pranoi përgjegjësinë dhe tha se edhe José Mourinho kishte të drejtë ta kritikonte.

“Ishte një moment shumë i vështirë. Mourinho nuk gaboi, kishte gjithë të drejtën e botës. Unë gabova, e pranova dhe vazhdoj ta pranoj. Kam kërkuar falje dhe do të vazhdoj ta bëj. Jam 23 vjeç dhe kam bërë gabime, siç mund të bëjë çdokush në këtë moshë.”

Mbrojtësi theksoi se tashmë është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbart si futbollist i Real Madridit.

“Duhet të jem i vetëdijshëm se ku jam. Jam te Real Madridi dhe gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më. Ëndërroj të fitoj trofe me këtë fanellë dhe, nëse është e mundur, ta bëj për pjesën tjetër të karrierës sime.” 

Asencio foli edhe për çështjen tjetër gjyqësore, për të cilën u shpall i pafajshëm, dhe për koret e tifozëve kundërshtarë në stadiume.

“Nuk kam vrarë askënd, nuk kam bërë asgjë. E kisha ndërgjegjen të qetë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.”

Ai shtoi se gjatë ndeshjeve përpiqej të mos ndikohej nga reagimet e tifozëve: “Kur dilja në fushë, mendoja vetëm për të luajtur futboll, jo për të debatuar me një tribunë armiqësore.” Familja e tij, sipas Asencios, e ka përjetuar më rëndë situatën. /Zëri