Sindikata alarmon për gjendjen e sigurisë në “Trepçë”, kërkon investime urgjente nga shteti

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm, ku në minierën e Stan Tërgut 63 minatorë mbetën të ngujuar pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike. Ata dolën më pas shëndoshë e mirë, por Sindikata tha se ky rast alarmon për gjendjen e sigurisë në “Trepçë” dhe se nuk guxon të kalojë në heshtje.

“Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar”, thotë Sindikata.

Sindikata u ankua për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.

“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”.

Sindikata ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.

“Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”.

Sindikata tha se mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk mund të jetë vetëm media ajo që reagon.

“Institucionet duhet të veprojnë. ‘Trepça’ mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit. Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, thuhet në reagim.