Haradinaj: U votua Ligji për Dhomat e Specializuara, ende duhet të përballemi me keqqeverisjen

Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si një hap në mbrojtje të, siç tha ai, të drejtës së Kosovës.

Haradinaj ka thënë se edhe përkundër vështirësive, puna mund të përfundojë kur ekziston vullneti dhe angazhimi.

“Dje u kry një punë e mirë në Kosovë, u votua Ligji për Kufizimet për Dhomat e Specializuara. Ky ligj e ndihmon të drejtën tonë. Urime Kosovë, urime Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, urime çlirimtarë që padrejtësisht po mbaheni në Hagë”, tha Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka uruar edhe presidenten e zgjedhur, Justina Shiroka-Pula, duke i dëshiruar sukses në detyrën e re.

Haradinaj është ndalur edhe te zhvillimet politike në vend, duke thënë se, sipas tij, mbeten ende çështje të rëndësishme për t’u adresuar.

“Qytetarë të dashur, ende punët tona mbeten pa kry. Një punë e rëndësishme është përballja e keqqeverisjes në vend. Në demokraci qytetari ka nevojë për opozitë të vërtetë, për opozitë të fortë”, tha ai.

Haradinaj ka bërë thirrje për krijimin e një opozite të fortë, duke shprehur gatishmërinë e Aleancës për të marrë përgjegjësi politike.

“Ta ndihmojmë krijimin e mirëfilltë të një opozite të fortë e të pathyeshme. Aleanca është e gatshme të marrë përgjegjësinë bashkë me ju që ta përballim keqqeverisjen në interes të popullit të Kosovës”, u shpreh Haradinaj.