Sulmohet fizikisht ekipi i Klan Kosovës në Ferizaj, AGK-ja e dënon rastin
Ekipi i emisionit “Kiks Kosova” të Klan Kosovës është sulmuar fizikisht nga një person në Ferizaj. I dyshuari është paraqitur në Polici dhe ka dorëzuar një kamerë, që dyshohet se i përket ekipit të Klanit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
“Ju njoftojmë se sot, më 07.10. 2026, rreth orës 11:40, në rrugën ‘Hamit Rexhepi’ të Ferizajt, katër operatorë të një televizioni vendor dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga një person. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa i dyshuari është paraqitur në stacionin policor Ferizaj, ku ka dorëzuar edhe një kamerë të dëmtuar, që dyshohet se u përket operatorëve. Për rastin janë njoftuar hetimet rajonale, të cilët në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore policore”, tha Veseli.
Këtë rast e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke theksuar se të lënduar në këtë sulm janë dy kameramanë, një gazetare dhe shoferi.
“Një ekip i emisionit ‘Kiks Kosova’ në Klan Kosova është sulmuar këtë të mërkurë në qytetin e Ferizajt, në kohën që ishin në terren për kryerjen e punës së tyre profesionale. Kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, si dhe gazetarja Arbentia Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema janë sulmuar fizikisht nga disa persona të paidentifikuar, brenda veturës së televizionit. Hyseni, Shala dhe Xhema kanë marrë lëndime serioze nga sulmi dhe po trajtohen në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt. AGK-ja e dënon në termat më të ashpër këtë sulm brutal fizik dhe kërkon nga Policia identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve”, thuhet në reagim.
AGK-ja shton se sulme si këto shpërfaqin sërish ambientin e vështirë të të bërit gazetari në Kosovë.
“AGK-ja bën thirrje për hetime të shpejta e efikase dhe gjithashtu bën thirrje për respektimin e punës së rëndësishme të gazetarëve për informimin e opinionit publik”, thuhet në njoftim.