Oda Amerikane mirëpret kompletimin e arkitekturës institucionale të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës.

“Me institucionet e Kosovës tashmë plotësisht të konstituuara, fokusi duhet të drejtohet fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit. Oda Amerikane bën thirrje për një dinamikë të re në reformat e qeverisjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes dhe investime, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave që rrisin konkurrueshmërinë dhe mundësojnë rritje të qëndrueshme ekonomike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, funksionaliteti i plotë institucional duhet gjithashtu t’i japë shtysë të re përshpejtimit të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Oda Amerikane mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”. /eo