PDK-ja përshëndet miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen dhe zgjedhjen e presidentes
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës.
Përmes një deklarate, PDK-ja ka thënë se me këto dy vendime Kuvendi i Kosovës ka përmbushur dy kërkesat për të cilat kjo parti kishte insistuar gjatë ditëve të fundit.
“Me vendimet e sotme, Kuvendi i Kosovës ka përmbushur dy kërkesat për të cilat Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar gjatë ditëve të fundit: miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratë.
Sipas PDK-së, këto vendime kanë shmangur një krizë të re institucionale dhe kanë mundësuar funksionimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
“Kosova ka nevojë për institucione stabile, funksionale dhe të përgjegjshme”, ka theksuar kjo parti.
PDK-ja ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Për institucione të tilla kanë nevojë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, në përpjekjen për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës ka falënderuar deputetët që mbështetën ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Një falënderim të veçantë, PDK-ja ua ka adresuar edhe mijëra qytetarëve që, për disa net me radhë, protestuan në Prishtinë duke kërkuar miratimin e këtyre ndryshimeve.
“Zëri dhe këmbëngulja e tyre ishin pjesë e rëndësishme e këtij procesi”, thuhet në deklaratë.
Në fund, PDK-ja ka vlerësuar se pas vendimeve të sotme, Kosova i ka institucionet e saj të konstituuara dhe funksionale.
“Tani është koha për punë, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka përfunduar deklarata.