Lansohet fushata rajonale për sigurinë rrugore: Një çast shpëton jetë

Në Prishtinë është lansuar fushata rajonale për sigurinë rrugore me moton “Lidhni rripin e sigurisë, një çast shpëton jetë”, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe promovimin e sjelljeve të sigurta në trafik.

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Talis Linkaits, tha se institucionet do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje dhe bashkëpunim teknik për përmirësimin e sigurisë rrugore.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë udhëzime dhe të lehtësojmë bashkëpunimin teknik për të ndihmuar autoritetet kompetente të shndërrojnë prioritetet e dakorduara të sigurisë rrugore në përmirësime praktike që mbrojnë jetët. Emri i fushatës mbart një mesazh të thjeshtë. Të marrësh një moment për të lidhur rripin e sigurimit, për të siguruar një fëmijë siç duhet ose për të vendosur dhe fiksuar një kaskë mund të bëjë një ndryshim të qëndrueshëm në të ardhmen e një familjeje. Mesazhi ynë për çdo përdorues të rrugës është i thjeshtë: vendosni rripin e sigurimit, mbroni fëmijët tuaj dhe vendosni helmetën tuaj kur udhëtoni. Çdo udhëtim meriton atë moment kujdesi”, tha Linkaits.

Në lansimin e fushatës mori pjesë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, i cili tha se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e jetës.

“Është kënaqësi e veçantë që sot të jem së bashku në Prishtinë në kuadër të fushatës rajonale për sigurinë rrugore, ‘Një çast shpëton jetë’. Një iniciativë e rëndësishme që synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë që secili prej nesh ka në trafikun rrugor. Siguria rrugore nuk është veç çështje infrastrukture, rregullave të komunikacionit apo zbatimit të ligjit. Ajo është, para së gjithash, çështje e mbrojtjes së jetës dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët. Pas çdo aksidenti të rëndë rrugor qëndrojnë jetë të humbura, familje të prekura dhe pasoja që shpesh zgjasin për shumë vite. Prandaj, mesazhi i kësaj fushate, ‘Një çast shpëton jetë’, është një thirrje drejtpërdrejtë për të gjithë ne që të reflektojmë, secili mbi sjelljen tonë në trafik, dhe të kuptojmë se edhe një veprim i vogël, si respektimi i kufizimit të shpejtësisë, vendosja e rripit të sigurisë apo shmangia e përdorimit të telefonit gjatë vozitjes, mund të bëjë dallimin midis jetës dhe vdekjes”, tha Morina.

Ndërkaq, nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, tha se siguria rrugore është pjesë e prioriteteve strategjike të Policisë dhe se janë ndërmarrë një sërë masash për uljen e aksidenteve.

“Policia e Kosovës në planet strategjike ka në fokus sigurinë rrugore dhe, falë bashkëpunimit me institucionet vendore e ndërkombëtare, është e angazhuar në rritjen e sigurisë në trafik, uljen e aksidenteve dhe, me theks të veçantë, atyre me fatalitet e me lëndime të rënda. Sot, përmes fushatave të ndryshme sensibilizuese, ligjëratave në shkolla dhe përfshirjes së institucioneve e organizatave të ndryshme dhe mediave, është arritur në zvogëlimin e aksidenteve me fatalitet, edhe pse ky numër në vendin tonë ende konsiderohet i lartë. Policia e Kosovës ka avancuar edhe në fushën teknologjike sa i përket kontrollit dhe mbikëqyrjes së trafikut, ku jemi furnizuar me pajisje inteligjente të cilat bëjnë identifikimin e shpejtësisë”, tha Rexhepi.

Fushata synon që përmes një mesazhi të thjeshtë t’u rikujtojë të gjithë pjesëmarrësve në trafik rëndësinë e masave bazë të sigurisë, përfshirë përdorimin e rripit të sigurimit, mbrojtjen e fëmijëve, vendosjen e helmetës, respektimin e kufizimeve të shpejtësisë dhe shmangien e përdorimit të telefonit gjatë vozitjes.