Kurti i bën ofertë PDK-së: Nëse siguroni gjysmën e votave për Sejdiun, procedojmë me leximin e dytë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë PDK-së për zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar që kjo parti të zotohet publikisht se do të sigurojë së paku gjysmën e votave të Grupit të saj Parlamentar për kandidatin Bekim Sejdiu.
Kurti tha se, nëse PDK-ja e jep këtë zotim publik, atëherë do të procedohet me leximin e dytë të projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ofertë shtesë dhe konkrete: nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, meqë pjesën tjetër e kemi, atëherë ne po procedojmë me leximin e dytë”, tha Kurti, transmeton Zeri.info.
Ai kërkoi nga PDK-ja që zotimin ta bëjë publik para opinionit.
“Kërkojmë nga PDK-ja publikisht të zotohet para jush, para opinionit publik, që së paku gjysmën e Grupit Parlamentar mund të na sjellin në seancë, qoftë edhe kundër Bekim Sejdiut”, deklaroi Kurti. /Zëri