23 persona u trajtuan në QKUK pas protestës së mbrëmshme
23 persona janë trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, pas situatës së krijuar gjatë protestës së mbrëmshme.
Sipas QKUK-së, 15 persona janë paraqitur për shkak të ekspozimit ndaj gazit lotsjellës dhe sprejit.
Mësohet se ata kanë pasur kryesisht simptoma të irritimit të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes, duke përfshirë lotim, djegie të syve dhe kollë.
"Katër persona kanë marrë trajtim për lëndime të shkaktuara nga mjete të forta, kryesisht dëmtime të lehta të indeve të buta, plagë, kontuzione dhe lëndime të tjera traumatike. Ndërsa katër persona të tjerë janë paraqitur me lëndime ose shqetësime të tjera, përfshirë rrëzime, ndrydhje dhe shqetësime të përgjithshme. Në mesin e 23 personave të trajtuar kanë qenë edhe tre zyrtarë policorë të lënduar", thuhet nga QKUK-ja.
QKUK-ja po ashtu ka bërë të ditur se të gjithë pacientët, pas vlerësimit diagnostik, marrjes së trajtimit të nevojshëm dhe stabilizimit të gjendjes, janë liruar për në shtëpi.
Aktualisht, sipas QKUK-së, nuk raportohet për pacientë të hospitalizuar si pasojë e këtyre rasteve.
Lidhur me këtë ka folur edhe drejtori i Emergjencës, Naser Syla.