Ramadani kërkon hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka kërkuar nisjen e hetimeve për veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar sonte në Prishtinë, për Ligjin e Dhomave të Specializuara.

Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka kërkuar raportimin urgjent të Drejtorit të Policisë për masat e ndërmarra sot si edhe Kryeshefin e Inspektoratit Policor për aktivizimin dhe hetimet e tyre. /Zëri

Postimi i plotë:

Sjellja e Policisë joproporcionale. Shumë punë për Inspektoratin Policor!

Duhet ta shohin me detaje Planin Operativ (nëse ka qenë i përgatitur mirë), pajisjet dhe nivelin e forcës së përdorur.

Si anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë e Mbrojtjes (nëse do të funksionojë ky Parlament), do të kërkojë raportimin urgjent të Drejtorit të Policisë për masat e ndërmarra sot nga pasditja. Njëjtë edhe Kryeshefin e Inspektoratit Policor për aktivizimin dhe hetimet e tyre.

Nëse s’ka tash Parlament, pas zgjedhjeve gjithsesi askush të mos mendojë se i ikën përgjegjësisë!

Nuk harrohen gabimet! Nuk mund të falen ato!