Haziri: Protesta vazhdon, sepse është një kërkesë që ende pret përgjigje
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas përfundimit të protestës së sotme në Prishtinë, duke thënë se kërkesa e protestuesve ende nuk ka marrë përgjigje.
“Sonte nuk mbeti pa u votuar vetëm një ligj. Sonte mbeti pa përgjigje një kërkesë për të cilën njerëzit qëndruan 20 ditë e 20 net në shesh”, ka shkruar Haziri.
Ai ka thënë se gjatë protestës u vu në provë durimi i pjesëmarrësve, ndërsa përmendi gazin lotsjellës, tensionet dhe përplasjet e shënuara gjatë mbrëmjes.
Megjithatë, sipas tij, protesta do të vazhdojë.
“Por protesta vazhdon. Sepse kjo nuk është vetëm një natë. Është një kërkesë që ende pret përgjigje”, ka deklaruar Haziri.
Në fund të reagimit, ai ka përsëritur kërkesën për miratimin e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara.
“UÇK-ja na bashkoi atëherë. UÇK-ja po na bashkon përsëri. VOTOJENI LIGJIN. JO NË EMRIN TIM”, ka shkruar Haziri. /Zëri