Deputeti Rexhepi: Sot u përballa me një akt të turpshëm, rastin do ta procedoj në organet e drejtësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas një incidenti që ka ndodhur sot pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, teksa po largohej nga objekti i Kuvendit.

Rexhepi i cili është kthyer nga protestuesit në oborrin e Kuvendit, ka thënë se është përballur me një “akt të turpshëm dhe të papranueshëm” nga disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.

Ai ka theksuar se reagimi i tij nuk lidhet vetëm me pozitën e deputetit, por edhe me historinë e tij dhe të familjes së tij në luftën e UÇK-së dhe rrugën drejt lirisë së Kosovës.

“Ajo që ndodhi sot më dhemb jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.

Sipas tij, një sjellje e tillë nuk u bën nder as personave që aktualisht po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Rexhepi ka bërë të ditur se disa prej personave të identifikuar pas incidentit i kanë kërkuar takim për t’i kërkuar falje, por ka thënë se kërkimfalja nuk e mbyll rastin.

“Edhe urdhërdhënësi i sulmit tash veç se dihet”, ka deklaruar ai, pa dhënë më shumë detaje.

Deputeti i LVV-së ka njoftuar se rastin do ta procedojë në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Kosovës.

Deklarata e tij vjen në kohën kur në Prishtinë po zhvillohet një protestë pranë institucioneve shtetërore, gjatë së cilës Policia e Kosovës ka raportuar për përleshje dhe hedhje të mjeteve të ndryshme në drejtim të institucioneve dhe zyrtarëve policorë./Zëri