Policia deklarohet për arrestimin e të riut që protestoi para Kuvendit

Policia e Kosovës është deklaruar rreth arrestimit të një qytetari, që protestoi sot para Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët janë detyruar të marrin masa ndaj një protestuesi, i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.

“Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, ku person/a të caktuar, pjesëmarrës në protestë, kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës. Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të ndryshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe apeloi te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”.