Jashari pas votimit në Kuvend: Qëndrojmë në kërkesën tonë, kërkojmë shfuqizimin e Speciales

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka deklaruar se organizatat e dala nga lufta kanë qenë sot në Kuvend për t’ua përcjellë deputetëve kërkesën e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Jashari tha se për më shumë se 11 vjet kërkesa e organizatave të dala nga lufta ka qenë e njëjtë dhe se ajo mbetet shfuqizimi i Speciales nga të zgjedhurit e popullit.

Sipas tij, Gjykata Speciale është krijuar mbi bazën e, siç i quajti ai, “shpifjeve dhe trillimeve”, duke përmendur në veçanti raportin e Dick Martyt.

Jashari kritikoi institucionet për vonesën në ndërmarrjen e veprimeve lidhur me Specialen, ndërsa tha se vendimet e saj kanë qenë, sipas tij, të padrejta dhe të njëanshme.

Ai iu referua edhe vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se Gjykata Speciale “njollosi dhe fyeu rëndë historinë e popullit shqiptar dhe luftën e UÇK-së”.

Jashari e vlerësoi kalimin e projektligjit në lexim të parë si një hap pozitiv, por kërkoi që procesi të përfundojë edhe me leximin e dytë.

“Është mirë që kaloi në lexim të parë, por ne kërkojmë që të votohet edhe në lexim të dytë dhe të votohet një nen që shfuqizon këtë gjykatë”, tha Jashari.