“Duam pagat tona”, protestojnë punëtorët e NPB-së

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar për shkak të vonesave në marrjen e pagave, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për situatën në të cilën, sipas organizatorit të protestës, mbi 380 punëtorë nuk janë paguar prej dy muajsh.

Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, tha se punëtorët nuk kanë dalë në protestë për të kërkuar privilegje ose mëshirë, por pagën që e kanë fituar me punën e tyre.

“Jemi mbledhur sot këtu për të kërkuar jo privilegje, por atë që na takon me të drejtën tonë: pagën tonë, frytin e punës sonë dhe dinjitetin tonë njerëzor. Ne, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, nuk jemi këtu rastësisht. Jemi këtu sepse kemi ardhur në një pikë ku heshtja nuk mund të vazhdojë më.

Kemi punuar dhe do të punojmë me përkushtim. Kemi kryer dhe po kryejmë detyrat tona dhe kemi dhënë kontributin tonë për ndërmarrjen dhe qytetin. Por sot, kur vjen koha për të marrë pagën, po përballemi me vonesa dhe, tash e dy muaj, mbi 380 punëtorë nuk kanë marrë rrogën”, deklaroi Prebreza.

Ai tha se puna e NPB-së është e lidhur drejtpërdrejt me shërbimet që u ofrohen qytetarëve të Prishtinës, duke theksuar se punëtorët e ndërmarrjes kanë vazhduar t’i kryejnë përgjegjësitë e tyre pavarësisht situatës.

“NPB-ja është dora e gjatë e qytetit dhe e qytetarëve të saj. Është pasqyrë e më shumë se 820 hyrjeve, 300 ashensorëve dhe mbi 15 mijë klientëve që i kemi të rregullt. Jemi pasqyrë e rregullimit të shumë rrugëve të qytetit, shkollave, ambulancave dhe objekteve komunale.

Puna jonë shihet në çdo vend. Është punë që e bëjmë me përkushtim të madh, me ekipet tona profesionale që i kemi në terren dhe me një administratë të shkëlqyer. Prandaj, na shpërblejeni mundin tonë”, u shpreh ai.

Prebreza kërkoi nga institucionet zgjidhje për gjendjen e krijuar, ndërsa iu drejtua edhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është aksionare e ndërmarrjes.

“Për institucionet, paga mund të jetë çështje administrative, por për ne kjo pagë është buka e familjes dhe siguria e jetesës sonë të përditshme. Nuk po kërkojmë mëshirë, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po kërkojmë vetëm të drejtën tonë elementare: marrjen e pagës mujore që kemi fituar me djersën tonë.

Është e dhimbshme që punëtori të detyrohet të dalë në protestë për të kërkuar të drejtën e tij. Prandaj, ne sot nga këtu ju drejtohemi me të vetmen kërkesë: duam pagat tona”, tha Prebreza.

Ai paralajmëroi se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, punëtorët nuk do të ndalen me protestën dhe mund të ndërpriten shërbimet e NPB-së.

Po ashtu, Prebreza kërkoi nga Gjykata Supreme ta shqyrtojë me urgjencë lëndën e tyre, ndërsa u bëri thirrje punëtorëve të qëndrojnë të bashkuar.

“Duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është 100 për qind aksionare e ndërmarrjes, kërkojmë publikisht nga kryetari i Prishtinës, zoti Rama, që të ushtrojë autoritetin e tij institucional për të na mbështetur fuqishëm në zgjidhjen e këtyre sfidave jetike që ne punëtorët dhe NPB-ja kemi.

Po ashtu, i njoftojmë qytetarët se, përderisa vazhdon kjo gjendje e mosmarrjes së pagave, jo me dëshirën tonë, do të ndërpriten të gjitha shërbimet tona”, deklaroi ai.

Në fund, organizatori i protestës tha se punëtorët do të vazhdojnë ta kërkojnë të drejtën e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Pagat tona nuk janë privilegj, puna jonë nuk është lëmoshë dhe dinjiteti ynë nuk është për bisedime”, përfundoi Prebreza. /EO