Shtohet numri i protestuesve para Kuvendit të Kosovës

Është shtuar numri i qytetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, me pankarta në duar dhe thirrje drejtuar deputetëve që të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit janë mbledhur para objektit të Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila ka kërkuar që deputetët ta miratojnë projektligjin.

Ndërkohë, Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, pak para seancës plenare, ai është votuar unanimisht nga anëtarët e Komisionit që kanë qenë prezent. Për ndryshim të Ligjit kanë votuar 9 deputetë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Tani ai pritet të shqyrtohet në parim në edhe në seancë plenare.

Pas përfundimit të shqyrtimit në Komision, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku ky projektligj është pika e parë e rendit të ditës.

Po në orën 09:00, para Kuvendit është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me kërkesë për votimin e ndryshimeve ligjore.