Pa marrëveshje për presidentin, Koci paralajmëron situatë të paprecedentë

Të martën, më 6 tetor, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, ndërsa deri tani nuk ka sinjale për një marrëveshje mes partive politike.

Njohësi i çështjeve politike Melazim Koci, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me një situatë të re dhe të paprecedentë kushtetuese nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti apo presidentja e Republikës.Në një deklaratë për Telegrafin, Koci ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 6 tetorin si ditën e fundit për përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, ndërsa deri tani sipas tij nuk ka tregues për tejkalimin e krizës.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 6 tetorin si ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit/presidentes së Republikës së Kosovës. Deri në këto çaste nuk ka asnjë tregues që flet për tejkalimin e kësaj krize”, ka deklaruar Koci.Ai ka vlerësuar se gjasat për arritjen e një marrëveshjeje rreth Ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së presidentit janë minimale.

“Gjasat për marrëveshje rreth Ligjit për Specialen dhe Presidentin/Presidenten janë minimale. Madje mund të thuhet se nuk ka as vullnet politik që Kosova të bëhet me president/presidente”, ka thënë ai.

Sipas Kocit, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

“Pas 6 tetorit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve”, ka deklaruar Koci.

Ai ka ngritur edhe dilema lidhur me procedurat që do të pasojnë, veçanërisht për konsultimet me partitë politike dhe caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Ky afat ose mesnata e të martës hap një dilemë të re: kush do të merret me teknikalitetet, konsultimet me partitë politike dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve?”, ka thënë Koci.

Sipas tij, kjo çështje nuk është e rregulluar qartë me Kushtetutë dhe nuk e përjashton mundësinë që presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.“Kjo çështje nuk është e rregulluar me Kushtetutë dhe nuk do të më befasonte nëse z. Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Koci ka paralajmëruar se, pavarësisht skenarit që mund të zhvillohet pas 6 tetorit, vendi mund të hyjë në një situatë të panjohur kushtetuese.

“Në të gjitha variantet, Kosova nga 6 tetori do të hyjë në situatë të panjohur dhe të paprecedentë kushtetuese”, ka thënë Koci.Në fund, ai ka bërë thirrje për respektimin e afateve kushtetuese, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të tejkalimit të tyre.

“ ‘Loja’ me afate ose, edhe më keq, injorimi i tyre mund ta shpie Kosovën drejt kaosit kushtetues”, ka përfunduar Koci.

Ndryshe të shtunën, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Takimet u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

Përveç çështjes së presidentit, në diskutimet politike është përfshirë edhe kërkesa e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja po kërkon që Projektligji për ndryshimin e këtij ligji të miratohet në Kuvend në të dy leximet deri më 6 tetor.