Cakolli: Procedura për Ligjin e Speciales vështirë të përfundojë para 6 tetorit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se pas opinionit të dhënë nga Qeveria për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shqyrtimi i tij mund të vazhdojë në Kuvend.

Megjithatë, Cakolli vlerëson se koha e mbetur deri më 6 tetor, kur skadon afati për çështjen e Presidentit, e vështirëson ndjeshëm përfundimin e procedurës.

Sipas tij, materialet e plota të projektligjit u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, ndërsa Rregullorja e Kuvendit përcakton një sërë afatesh që duhet të respektohen.Cakolli thekson se Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë projektligjin në parim, ndërsa për procedurën e përshpejtuar ekzistojnë mekanizma të veçantë. Megjithatë, edhe në këtë rast, sipas tij, duhet të respektohen afatet minimale procedurale.

“Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka përllogaritur se shqyrtimi i parë në seancë mund të mbahet më së herëti më 5 tetor, ndërsa shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar, duke respektuar afatet minimale, më së herëti më 8 tetor.

Cakolli ka rikujtuar gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar më herët vendime në raste kur shkurtimi i afateve procedurale ua kishte pamundësuar deputetëve dhe komisioneve shqyrtimin përmbajtësor të ligjeve.

Ai ka theksuar se edhe pas miratimit të ligjit ekzistojnë afate të tjera për procedurat e shpalljes dhe hyrjes në fuqi, ndërsa ligji mund të kontestohet edhe në Gjykatën Kushtetuese nga së paku 10 deputetë.Sipas Cakollit, këto afate e bëjnë veçanërisht të vështirë përfundimin e të gjithë procedurës së projektligjit brenda afatit të përcaktuar për çështjen e Presidentit.