Sekuestrohen 204 vape me kanabis në Merdare
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe me përdorimin e pajisjeve të specializuara, zyrtarët kanë ndaluar për kontroll një mjet transportues, furgon, i cili ishte i ngarkuar në karrotrec dhe mbante targa të huaja.
“Gjatë kontrollit të detajuar të këtij mjeti, saktësisht në pjesën e sipërme të furgonit, midis tapicerisë dhe tavanit (mbi tavanin e furgonit), autoritetet kanë zbuluar dhe sekuestruar sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës së Kosovës, bëhet fjalë për “Vape (cigare/produkte duhani) me kanabis / ose substanca të ngjashme narkotike”, ndërsa janë sekuestruar gjithsej 204 copë.
“Rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente hetimore të Doganës dhe Policisë së Kosovës për veprime të mëtejshme ligjore përfshirë edhe mjetin transportues”, thuhet tutje.
“Dogana dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e kufijve dhe parandalimin e çdo forme të krimit e kontrabandës”, përfundon njoftimi.