IKD-ja diskuton për paditë SLAPP dhe lirinë e shprehjes në Kosovë

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka organizuar takimin diskutues me temë “Paditë kundër zërave kritikë: SLAPP dhe liria e shprehjes në Kosovë”.

Hulumtuesi dhe juristi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, ka deklaruar se është paditur nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për gjestet që, sipas tij, i ka bërë gjatë një emisioni televiziv.

Kabashi tha se padia është ngritur pasi ai është drejtuar me dorë në drejtim të Pacollit gjatë kohës kur po fliste në emision.

“Për gjestet që i kam bërë në emision më është ngritur padi nga zonja Pacolli, e që për mua është shumë e çuditshme”, theksoi Kabashi.

Sipas Kabashit, rasti ka përfunduar në shkallën e parë të gjykatës, ndërsa ai tha se ka pasur prova dhe ka qenë i përgatitur për procesin gjyqësor.

“Padia nuk ka pasur vlerë të kontekstit, rasti ka përfunduar në shkallën e parë nga gjykata. I kam pasur provat dhe kam qenë i përgatitur”, shtoi Kabashi.

Kabashi deklaroi se, pavarësisht padisë së Pacollit, ai nuk i ka ndaluar aktivitetet e tij profesionale dhe ka vazhduar me paraqitjet televizive.

Ai tha se pas ngritjes së padisë nuk e ka menduar nëse duhet të vazhdojë me paraqitjet publike apo jo.

“Për mua, pas padisë, nuk e kam menduar a të vazhdoj me paraqitjen publike a po jo. Përkundrazi, unë kam vazhduar me paraqitje televizive. Unë do ta vazhdoj standardin e profesionalizmit”, tha Kabashi.

Kurse, gazetarja Saranda Ramaj, u deklarua lidhur me përvojën e saj me paditë gjatë karrierës së saj.

“Rruga për të pranuar që kam pasur padi publikisht ka qenë rrugë e gjatë, sepse për mua ka qenë shumë problem pse njerëzit po më padisin, sepse kam besuar se kështu njerëzit kanë me më besu më pak”, tha Ramaj.

Po ashtu, Ramaj deklaroi se paditë paraqesin një risk, i cili duhet të kalkulohet nga gazetarët gjatë përzgjedhjes së temave të hulumtimeve.

“Në rrugëtimin në gazetari, kjo është zgjedhja, dhe pa dashur më nënçmu ose me folë me superlativ për ndonjë zhanër të gazetarisë, për mua ka qenë një zgjedhje para, ose vazhdo të bëj tema përtej temave ditore dhe të paditesh, ose mbet krejt tjetër në tema ditore. Ai është një risk që njerëzit dhe gazetarët profesionistë e kalkulojnë, dhe unë e kam kalkulu me kohë dhe nuk jam pishman me atë zgjedhje”, tha Ramaj.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e organizatës QIKA, Leonida Molliqaj, ka deklaruar se paditë SLAPP nuk kanë vetëm efekt frikësues, por mund të shërbejnë edhe për të disiplinuar dhe kufizuar aktivistët në mënyrën se si shprehen dhe angazhohen në çështje publike.

Molliqaj tha se kritikat dhe përpjekjet për ta delegjitimuar qëndrimin e saj nuk janë të reja, veçanërisht prej angazhimit të saj në çështjet gjinore. Megjithatë, sipas saj, situata ka marrë tjetër dimension kur këto përplasje janë shndërruar në procedurë gjyqësore.

“Unë e thash edhe ma herët që kritika dhe nevoja me delegjitimu qëndrimin tem e ndjej vazhdimisht, prej që jom specifiku vetëm për çështje gjinore në angazhim”, ka thënë Molliqaj.

Ajo tha se aktivistet janë mësuar me përballjen në diskursin publik, por se ndjenja ndryshon kur kritikat kalojnë në procedura gjyqësore.

“Edhe me këtë jemi të mësum se e kemi fitu betejën në diskurs publik”, ka deklaruar ajo.

“Kur kjo të vjen në formë të padisë, çka m’ka trishtue është se në një anë njerëzit që na besojnë, jo që janë të hapun e të emancipun, por në aspektin e dijes, kështu logjikës konkrete, janë ma mirë”, ka thënë Molliqaj.

Ajo ka treguar se në rastin për të cilin ishte paditur, sipas saj, nuk kishte nxjerrë dëshmi apo prova përtej asaj që kishte parë dhe dëgjuar, ndërsa kishte përfaqësuar zërin e vajzave dhe kishte marrë pjesë në protesta e aktivitete në mbështetje të tyre.

“Me qenë gati me bo padi për bindjen e tua politike që ti i ki. Në rastin tim unë nuk kam faktu kurgjo, nuk kam nxjerrë dëshmi për diçka”, ka deklaruar ajo.

“Në rastin konkret kam përfaqësu zërin e vajzave në protestën që jemi kanë pjesë në organizim”, ka shtuar Molliqaj.

Ajo është shprehur kritike edhe ndaj një aktvendimi të cilin, sipas saj, e kishte cilësuar si diskriminues.

“Heren e parë e kam cilësu si një aktvendim si diskriminues, të cilin nuk besoj që as ata gjyqtarë nuk munden me naj formë arsyetu ndryshe”, ka thënë Molliqaj.

Sipas saj, pavarësisht bindjes se nuk kishte bazë për padi, ndaj saj ishte ndërmarrë një veprim i tillë.

“Por në anën tjetër kanë pas guxim me ngrit padi kundër diçkafit që kam besu që e dinë që nuk është ashtu”, ka deklaruar ajo.

Molliqaj tha se fillimisht kishte menduar se padia ishte ngritur me qëllim të frikësimit të saj, por se tashmë e sheh mundësinë që qëllimi të jetë më i gjerë.

“Sot nuk jam ma e sigurt. Fillimisht kam mendu që padinë e kanë bo veç për me frikësu”, ka thënë ajo. /eo