Prokuroria Speciale pushon hetimet ndaj Liburn Aliut lidhur me faljen e borxheve për kompanitë e ambalazhimit të ujit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e faljes së borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit.

Vendimin e Prokurorisë Speciale për Tëvë1 e ka konfirmuar avokati i Aliut, Artan Qerkini, i cili ka bërë të ditur se ndaj klientit të tij nuk do të vazhdojnë hetimet për këtë rast.

“Ndaj Aliut PSRK-ja ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve në lidhje me rastin që ka qenë duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ka qenë ministër”, ka deklaruar Qerkini.

Rasti kishte marrë vëmendje publike në muajin gusht, kur Aliu ishte ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Më 5 gusht 2026, ish-ministri ishte intervistuar për rreth tri orë lidhur me çështjen e taksës ujore dhe faljen e borxheve për kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit.

Në atë kohë, avokati Qerkini kishte deklaruar se Aliu ishte treguar bashkëpunues dhe i ishte përgjigjur menjëherë ftesës së Prokurorisë Speciale.

Pas përfundimit të intervistimit, Aliu kishte thënë se për të ishte një lehtësim që, pas një periudhe të gjatë, kishte pasur mundësinë të jepte sqarimet e tij para prokurorëve.

“Është një lehtësim që pas dy vite heshtje pata mundësinë me marrë edhe me sqaruar pak situatën para prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje, që ka degradu aq shumë, por që unë jam përgjigjur në heshtje”, kishte deklaruar Aliu.

Liburn Aliu ka qenë ministër në qeveritë e udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti, duke drejtuar fillimisht Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa më pas Ministrinë e Infrastrukturës.

Hetimi ndaj tij ishte zhvilluar lidhur me pretendimet për faljen e borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit.