Alarm për mjet shpërthyes në Prishtinë, Policia konfirmon se nuk kishte eksploziv
Policia e Kosovës ka përfunduar trajtimin e informatës për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.
Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, është konfirmuar se nuk kishte mjet shpërthyes.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, është konfirmuar se nuk ka mjet shpërthyes”, ka konfirmuar për Zërin, Enis Pllana zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës.
Ai tha se ndërkohë, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisur punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin. /Zëri
Dyshohet për një mjet shpërthyes në Prishtinë
Policia ka evakuuar qytetarët në një pjesë të Prishtinës pas raportimit për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Rrustem Hyseni”, raporton RTK.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të sigurisë pas një informate për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka konfirmuar për Zërin se po e trajtojnë rastin.
“Rreth orës 17:00, kemi pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Rrustem Hyseni’, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, deklaroi Pllana.
Ai tha se për detaje të tjera Policia do të njoftojë me kohë. /Zëri