14-vjeçari në Francë plagoset rëndë në fytyrë pas të shtënës së policisë me granatë [video]

Një incident i rëndë ka tronditur Francën gjatë protestave të nxënësve, pasi një adoleshent 14-vjeçar, ku edhe shihet në video, u plagos rëndë në fytyrë nga një e shtënë e policisë me një lëshues granatash, gjatë një përplasjeje para një shkolle në Saint-Ouen-l’Aumône, në departamentin Val-d’Oise.

Ngjarja ndodhi të hënën në mëngjes, në një kohë kur protestat dhe bllokimet e shkollave të mesme janë përhapur në disa pjesë të Francës.

Nxënësit po protestojnë për çështje që lidhen me kushtet në shkolla, mungesën e burimeve, klasat e mbingarkuara dhe probleme të tjera arsimore.

Pamjet e incidentit, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë adoleshentin duke u përballur me një polic. Sipas Le Parisien, pas një përplasjeje fizike mes tyre, polici përdori një lëshues granatash Cougar, ndërsa adoleshenti ndodhej në distancë shumë të afërt. Projektili e goditi në fytyrë dhe ai u rrëzua në tokë.

Një mësuese që ishte dëshmitare e ngjarjes tha se adoleshenti u rrëzua menjëherë dhe se kishte gjak në fytyrë. Ai u dërgua në spital me dëmtime serioze në gojë. Nëna e tij i tha Le Parisien se plagët ishin të rënda dhe se disa prej dhëmbëve të tij ishin thyer.

Për incidentin janë hapur dy hetime nga prokuroria e Pontoise, ndërsa njëri prej tyre i është besuar IGPN-së, organit që heton veprimet e policisë, me qëllim përcaktimin e rrethanave në të cilat u përdor arma.