Kurti: Kemi edhe gjashtë ditë për marrëveshje për presidentin, zgjedhjet e reja janë të shmangshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje të re politike për zgjedhjen e presidentit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi 6 tetorin 2026 si afatin e fundit për përfundimin e procedurës.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se aktgjykimi i Kushtetueses e ka vendosur vendin përballë një situate urgjente dhe kërkoi që subjektet politike të ulen për të arritur një marrëveshje.

“Aktgjykimi i Kushtetueses, i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afateve për zgjedhjen e presidentit, na vë përpara një situate urgjente për veprim”, tha Kurti.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e mëparshme me LDK-në, duke pretenduar se ajo është shkelur nga gjashtë deputetë të kësaj partie.

Kurti tha se kanë mbetur edhe gjashtë ditë për të arritur marrëveshje dhe për të zgjedhur presidentin e ri.

“Para nesh po sot kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, zgjedhjet e reja të panevojshme me pasoja të rënda gjithsesi se janë të shmangshme. Andaj, le të ulemi bashkë”, deklaroi ai.

Kryeministri paralajmëroi se nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi do të përballej me zgjedhje të reja.

Sipas tij, zgjedhjet parlamentare nuk do ta zgjidhnin drejtpërdrejt çështjen e presidentit dhe mund të krijonin paqartësi të reja institucionale.

“Zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq, qeveria do të mbetej në detyrë”, tha Kurti.

Ai shtoi se Kosovës i duhet, sipas tij, stabilitet institucional dhe jo përsëritje e proceseve zgjedhore.