Qendra “Gjenocidi në Kosovë” u kërkon institucioneve shpërbërjen e Speciales dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka përcjellë një letër drejtuesve të institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë, duke kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, së bashku me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Letra i është drejtuar kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministrit Albin Kurti, deputetëve të Kuvendit si dhe kryetarëve të partive politike. Në të, Qendra shpreh shqetësimin se pavarësia e Kosovës po përballet me rrezik.

Sipas kësaj organizate, vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, i marrë më 16 shtator, përbën “një goditje të rëndë ndaj dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës”.

Qendra pretendon se mënyra sesi vendimi paraqet realizimin e pavarësisë së Kosovës bie në kundërshtim me të vërtetën historike të luftës çlirimtare.

Në dokument përmendet edhe deklarata e miratuar më 28 shtator nga 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Qendra thotë se përmes saj institucionet shtetërore u bënë thirrje të ndërmarrin hapa për “mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, si dhe të hartojnë një strategji të përbashkët shtetërore.

Qendra ndalet edhe te zhvillimet e 29 shtatorit, kur u njoftua për caktimin e Panelit të Apelit që do të shqyrtojë ankesat në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Përbërja e këtij Paneli vihet në pikëpyetje në letër, pasi Qendra thekson se disa gjyqtarë kanë shërbyer më herët në panele që kanë shqyrtuar çështjet ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.

“Prandaj rezultati i vendimit të Panelit të Apelit është DÉJÀ VU!”, thuhet në dokument.

Përballë kësaj situate, Qendra kërkon që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe abrogimi i Nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës të konsiderohen si “imperativ kategorik”.

“Vetëm zhbërja e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm mund të shpëtojë Kosovën nga rreziku i madh që i kanoset”, vijon letra.

Forcave politike u kërkohet të ruajnë konsensusin e arritur përmes deklaratës së 28 shtatorit dhe të reagojnë të bashkuara ndaj zhvillimeve që Qendra i sheh si kërcënuese për Kosovën.

Sipas saj, një bashkim i tillë politik mund të ndihmonte në zbutjen e tensioneve të brendshme dhe në forcimin e unitetit shoqëror përballë presioneve të jashtme.

Letra e plotë, pa ndërhyrje:

Zhbërja e dhomave të specializuara imperativ kategorik

Znj. Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. e Presidentit të Kosovës,

Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës,

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës,

Z. Bedri Hamza, kryetar i PDK-së,

Z. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së,

Z. Ardian Gjini, kryetar AK-së,

Z. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate të Kosovës,

Z. Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së,

Të nderuara zonja,

Të nderuar zotërinj,

Aktgjykimi politik i Dhomave të Specializuara të Kosovës i datës 16 shtator 2026 është një goditje e rëndë ndaj dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës, sepse realizimin e pavarësisë së shtetit tonë e konsideron si rezultat të vrasjeve sistematike, arrestimeve, ndalimeve, trajtimeve çnjerëzore dhe formave të tjera të dhunës, që janë në kundërshtim të plotë me normat e së drejtës së përgjithshme humanitare ndërkombëtare.

Të brengosur për shkak të rrezikut që ngërthen në vetvete ky vendim për pavarësinë e shtetit të Kosovës, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ju drejtoi memorandumin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe zhbërjen e të ashtuquajturës “Gjykatë Speciale”.

Më 28 shtator 2026, 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan deklaratën nëpërmjet së cilës, ndër të tjera, kërkuan nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

Më 29 shtator 2026, u bë publik se është caktuar Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që do të shqyrtojë ankesat e ekipeve mbrojtëse të presidentit që shpalli pavarësinë e Kosovës, z. Hashim Thaçi; të Kryetarit të Kuvedejandit të Kosovës, që udhëhoqi seancën e Kuvendit kur u shpall pavarësia e Kosovës, z. Jakup Krasniqi; të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Rexhep Selimi që dhanë kontribut të madh për çlirimin e Kosovës.

Si në çdo proces politik, për të shmangur befasitë, sajuesit e procesit që kishte për qëllim kriminalizimin e luftës për pavarësi të Kosovës nga Serbia, përcaktuan gjykatësit që kanë qenë pjesë e paneleve të mëparshme të Apelit në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.

Prandaj rezultati i vendimit të Panelit të Apelit është DÉJÀ VU!

Në këtë kontekst të jashtëzakonshëm, çështja e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe abrogimi i nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës janë imperativ kategorik!

Vetëm zhbërja e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm mund të shpëtojë Kosovën nga rreziku i madh që i kanoset.

Mbetemi me shpresë se në këtë situatë plot rreziqe, forcat politike do të ruajnë konsensusin e arritur për miratimin e deklaratës së 28 shtatorit dhe, të bashkuara, do të realizojnë detyrimin që u ngarkon funksioni i përfaqësimit të vullnetit të popullit.

Të jeni të sigurt se konsensusi juaj do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm në uljen e tensioneve të brendshme dhe homogjenizimin shoqëror për t’i dalë ballë presioneve me të cilat mund të ballafaqohemi si komb.

Gjenevë, 30 shtator 2026

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur"