Gërvalla: 692 milionë euro remitanca nga mërgata vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se 692 milionë euro remitanca nga mërgata vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
“Për vite me radhë, nga çdo cep i Evropës dhe përtej Atlantikut, mërgata është pranë Kosovës. Me punën e saj, me sakrificën e saj dhe me kontributin e saj. Është pranë saj edhe sot, si pjesë e fuqisë ekonomike dhe e potencialit të Kosovës për të ardhmen. Vetëm në periudhën janar-qershor 2026, remitancat nga mërgata arrijnë në 692 milionë euro, apo 5.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një shifër që tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes dhe të jetë pjesë e pazëvendësueshme e saj.
Këto mjete kanë një rol të rëndësishëm në mirëqenien e familjeve, konsum, kursime dhe investime, por edhe në stabilitetin ekonomik e financiar të Kosovës. Përgjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht rreth 12% deri në 14% të BPV-së së Kosovës.
Të dashur bashkatdhetarë, ju që Kosovën nuk e latë kurrë. E mbajtët në ditët më të vështira. E mbajtët në luftë, gjatë luftës e pas luftës. E mbani edhe sot ngrohtësisht në zemër.
Sepse Kosova, për ju, nuk është vetëm vendi prej nga keni ardhur. Është shtëpia që e mbani me vete, kudo që jetoni.
Për Kosovën tuaj, për këtë Republikë, për gjithçka që keni dhënë. Mirënjohje përherë”, ka shkruar ajo.