Haxhiu për Ligjin e Speciales: Refuzoj iniciativat vetëm sa për t’u dukur
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për procedimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën e PDK-së, por theksoi se nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, kanë për qëllim vetëm krijimin e përshtypjes se po ndërmerret ndonjë veprim.
“Pa paragjykim, për projektligjin që është proceduar, mendoj që është shumë i rëndësishëm çdo veprim. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim veç me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po du me paragjyku nismën e PDK-së”, tha Haxhiu.
Ajo u bëri thirrje grupeve parlamentare të mos ndërmarrin iniciativa që, sipas saj, nuk kanë peshë konkrete.
“I ftoj grupet që të mos bëjnë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe nuk kanë ndonjë peshë”, deklaroi ajo.
Haxhiu tha se pas vendimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara, deputetët duhet të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre.
“Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.