Hamza: Do të kërkojmë procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të kërkojë procedimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Para mbledhjes së Kryesisë, Hamza tha para mediave se në rend të ditës pritet të jenë edhe konstituimi i komisioneve funksionale të Kuvendit.

“Procedimi i ligjit, konstituimi i komisioneve funksionale. Ne sot do të kërkojmë që ligji të procedohet. Normalisht, ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe normalisht që vendimi i Kushtetutës është i qartë”, tha Hamza.

Deklarata e tij vjen në kohën kur çështja e funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës është rikthyer në diskutimin politik në vend, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. /Zëri