Forcohet bashkëpunimi juridik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë kanë përmbyllur programin e shkëmbimit të stafit ndërmjet Departamenteve për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, me mbështetjen e Projektit CyberSEE.
Në njoftimin zyrtar të MD-së bëhet e ditur se, programi u realizua përmes vizitave të ndërsjella dyditore të zyrtarëve të të dyja ministrive.
“Pas vizitës së zyrtarëve nga Kosova në Shqipëri, këtë javë kolegët nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë zhvilluan vizitë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i këtij programi ishte shkëmbimi i përvojave profesionale, përafrimi i praktikave të punës dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Konventës së Budapestit për Krimin Kibernetik dhe sigurimit të provave elektronike.
Gjatë takimeve, zyrtarët diskutuan për sfidat në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe shkëmbyen përvoja dhe praktika të punës.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto aktivitete kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimit rajonal.
Në përmbyllje të vizitës, delegacioni u prit nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ridvan Hoti, shefja e Stafit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, Dhurata Gutaj, si dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Gazmend Çitaku.
Ministria e Drejtësisë shprehu mirënjohje për Projektin CyberSEE për mbështetjen e programit dhe për Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë për bashkëpunimin në zhvillimin profesional dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.