Kurti në New York: Kosovës t’i jepet pa vonesa statusi i shtetit kandidat, nuk mund të mbetemi peng i Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.
Kurti ka bërë të ditur se të mërkurën në New York mori pjesë në një drekë të shtruar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Kurtit, statusi kandidat për Kosovën do të ishte përgjigje e BE-së ndaj “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, si dhe nxitje për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm.
Ai ka kritikuar faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, vazhdon të mbetet pa përgjigje.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës, do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se Kosova “nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng” i Serbisë, të cilën e ka akuzuar për mbrojtje dhe glorifikim të personave të dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
Kurti ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Serbisë lidhur me krimet e luftës dhe personat e zhdukur, duke thënë se Beogradi “mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë”.
Ai e ka akuzuar gjithashtu Serbinë për vazhdimin e shkeljeve të të drejtave dhe spastrimit etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.