Serbët vazhdojnë glorifikimin ndaj Mlladiqit, shfaqen grafite në muret e Beogradit: “Faleminderit për Srebrenicën!”

Murale dhe grafite të reja në nderim të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, janë shfaqur në disa qytete të Serbisë, vetëm pak ditë pas varrimit të tij në Beograd.

Gazeta serbe “Vreme” shkruan se një mural i ri është shfaqur në rrugën “Majke Jevrosime”, në qendër të Beogradit, pranë një stacioni policor dhe përballë ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS).

Në mural fillimisht ishte shkruar “Faleminderit për Srebrenicën”, ndërsa Mlladiqi cilësohej si “hero që do të jetojë përgjithmonë”. Pas disa ditësh, fjala “Srebrenicë” është mbuluar, ndërsa është shtuar fjala “dashuri”.

Në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Srpskas vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë. Ratko Mlladiqi është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Një tjetër grafit në nderim të Mlladiqit është shfaqur në lagjen Voëdovac, ndërsa një mural tjetër, sipas “Vreme”-s, po pikturohej në Rakovicë.

Sofija Todoroviq, drejtoreshë e programeve në Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka thënë për “Vreme” se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara.

“Është duke u zhvilluar një aksion i koordinuar për pikturimin e tyre”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se qytetarët kanë raportuar shumë murale të reja kushtuar Mlladiqit pas varrimit të tij.

Iniciativa thotë se ka raportuar rreth 350 raste te autoritetet lokale, por nuk ka vërejtur largimin e tyre.

Sipas Todoroviqit, disa qytetarë kanë raportuar se kanë parë persona duke pikturuar murale gjatë gjithë ditës, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë.

Sipas “Vreme”, murale në nderim të Mlladiqit kanë nisur të shfaqen në Beograd që nga viti 2019 dhe janë evidentuar më shumë se 300 lokacione.

Murali më i njohur u shfaq në korrik të vitit 2021, pas konfirmimit nga Gjykata e Hagës të dënimit të përjetshëm ndaj Mlladiqit.

Tentativat e aktivistëve për ta larguar atë shkaktuan përplasje dhe arrestime. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe aktivistja Aida Çoroviq, e cila u gjobit me 100 mijë dinarë, pasi kishte hedhur vezë në mural.

Edhe pse komuna e Vraçarit urdhëroi mbulimin e muralit në dhjetor të vitit 2021, grupet e djathta dhe tifozët e rikthyen atë që të nesërmen.

“Vreme” shkruan se ndërkohë Qyteti i Beogradit ka ndarë miliona për pastrimin e fasadave, ndërsa janë larguar edhe murale të tjera, përfshirë një mural kushtuar ish-kryeredaktorit të kësaj gazete, Dragoljub Zharkoviq. /rtk