Leonora Jakupi nga sheshi: Stop kësaj padrejtësie dhe atij gjyqi të padrejtë [video]
Këngëtarja Leonora Jakupi ka mbajtur fjalim në natën e tetë të protestës “Jo në emrin tim”, që po zhvillohet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jakupi ka thënë se liria është fituar me sakrificë dhe se qytetarët janë mbledhur në shesh për të shprehur mbështetjen e tyre.
“Dhe e ditët se liria nuk falet, por se ajo duhet fituar. Sot, sot ne jemi këtu për t’ju thënë se mbështetja jonë është me ju, se respekti jonë, se dashuria jonë, se shpirti jonë!”, ka deklaruar Jakupi.
Ajo ka përmendur edhe kontributin e luftëtarëve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, duke thënë se ata u bashkuan për ta mbrojtur vendin dhe lirinë.
“Mendoj për të gjithë ata djem, për të gjithë djemtë e vajzat, për të gjithë ata djem, për çunat e Kosovës, dhe plot të tjerë nga Shqipëria, nga Malësia, nga Presheva, nga Tetova e nga e gjithë bota, e nga gjithë diaspora, për me i dalë Zot, për me i dalë Zot kësaj toke, për me i dalë Zot lirisë!”, ka thënë ajo.
Jakupi ka folur për rëndësinë që, sipas saj, ka lufta e UÇK-së në historinë e Kosovës dhe ka theksuar sakrificën e popullit për arritjen e lirisë.
“Mendoj se çfarë, çfarë mund me i thënë sot më madhështores ngjarje të këtij kombi, kësaj historie të ushtrisë tonë, dhe kësaj ngjarje, dhe këtij emri, dhe këtij populli edhe gjakut të vet”, është shprehur Jakupi.
Ajo ka theksuar se liria është arritur pas një periudhe të gjatë sakrifice.
“Në këtë popull, që me ditë e me muaj e me vite, për me e arrit këtë liri, për me e arrit këtë liri, këtë liri të sotit… Liria ka emër! Liria ka emër!”, ka deklaruar këngëtarja.
Jakupi ka thënë se mesazhit të protestës i janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, me qëllim kundërshtimin e asaj që ajo e cilësoi si padrejtësi dhe mbështetjen për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“E sot, këtij mesazhi të gjithë i janë bashkuar, i madh e i vogël. Se ka hyrë sot te ne, te secili prej nesh, te secili prej jush, për t’i thënë stop, për t’i thënë stop kësaj padrejtësie dhe atij gjyqi të padrejtë! Për me i dalë Zot çunave tanë, të UÇK-së, dhe kësaj toke, dhe këtij populli!”, ka shtuar Jakupi. /eo